img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/02

KPA: Ish-kryetari i Gjykatës së Pukës, Izet Kadana cënoi besimin tek drejtësia

Në vendimin e marrë në dhomë këshillimi, KPA i jep të drejtë ish-kryetarit të Gjykatës së Pukës, Izet Kadana lidhur me disa nga pretendimet e tij të paraqitura në ankimin ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, I cili vendosi ta shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit më datë 20 dhjetor 2018, për probleme në të tri kriteret e vetingut. Sipas KPK-së, mesazhet që Kadana i dërgoi një gruaje e cila konkurroi kundër bashkëshortes së tij për një pozicion si kryesekretare pranë Prokurorisë së Pukës u konsideruan nga KPK si shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe përfitim i padrejtë favori duke përdorur pozicionin. Gjithashtu, Komisioni konstatoi se Kadana kishte kryer deklarime të pasakta lidhur me burimin e të ardhurave për dhënien e dy huave; mungesë e burimeve të ligjshme për të justifikuar likuiditetin në shumën prej 1.1 milionë lekë; se ndodhej në situatën e konfliktit të interesit; si dhe u gjet papërshtatshmëri në kriterin e figurës. KPK theksoi këto veprime kanë ndikuar drejtpërdrejtë në cënimin e besimit të publikut te subjekti i rivlerësimit, si pjesë e sistemit të drejtësisë. Izet Kadana e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe prej më shumë se 15 vitesh punon si gjyqtar në Gjykatën e Pukës. Në një mbledhje të KLD-së në vitin 2016, Kadana u emërua kryetar i kësaj gjykate. Pavarësisht qëndrimeve ndryshe për disa prej konstatimeve të Komisionit, trupi gjykues i KPA-së i përbërë nga gjyqtarja Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Luan Daci, Sokol Çomo e Ardian Hajdari anëtarë, arriti në përfundimin se Kadana ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe se asnjë program trajnues apo proces rehabilitimi nuk do ta rikthente këtë besim. Dy prej anëtarëve të Kolegjit – kryesuesja Ina Rama dhe gjyqtari Sokol Çomo, kanë shkruar mendim paralel lidhur me kriterin e pasurisë, duke pranuar pretendimin e Kadanës për një kredi që sipas tij “ishte marrë dhe shlyer nga vjehrri.”

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu