img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/31

OMN kritikon ashpër KPK dhe rekomandon shkarkimin e gjyqtares Alkelina Gazidede

Në një nga opinionet më kritike deri më sot kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi që praktika e “referimit për inspektim” të subjekteve që konfirmohen në detyrë pasi gjehen me probleme të ndryshme duhet të marrë fund pasi përmes kësaj praktike, KPK duket se po heq dorë nga detyra e saj kushtetuese për të shkarkuar gjyqtarët apo prokurorët që rezultojnë me probleme gjatë hetimit administrativ.
Ky opinion veçanërisht i ashpër u dha nga OMN në kuadër të sugjerimit që ky institucion i bëri Komisionerit Publik për nevojën për ankimimin e vendimit të konfirmimit në detyrë të gjyqtares Alkelina Gazidede të Gjykatës Administrative të Apelit. OMN argumentoi se gjyqtarja duhej të ishte shkarkuar për kriterin e pasurisë dhe mund të mos ishte shpallur “e aftë” në kriterin e aftësive profesionale.
Gazidede, gjyqtare që e ka nisur karrierën në vitin 1996, u konfirmua në detyrë nga KPK më 10 korrik por dy vendime në të cilat ajo akuzohet se ka shkelur etikën profesionale dhe parimin e paanësisë së gjykatës, “të çohen për inspektim” te një organ kompetent.
Por përveç rekomandimit për shkarkim, Vëzhguesit Ndërkombëtarë dhanë disa komente paraprake në të cilat argumentuan se klauzola ligjore që autorizon KPK-në të referojë për inspektim një subjekt lidhet vetëm për çështje në të cilat subjekti mund të përballet me procedim disiplinor ndërsa për çështjet, të cilat mund të shkaktojnë shkarkim të subjektit nga detyra, KPK nuk duhet të përdorë referimin por duhet të gjykojë vetë sepse përndryshe “heq dorë nga detyra e saj kushtetuese”.
Pasi citon pikën 4 të nenit 59 të ligjit të vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë shkruajnë:
“Një interpretim i orientuar kushtetutshmërisht i këtij neni duhet të mbështetet në një proces korrekt ligjor, gjë që do ta ndalojë KPK-në në transferojë çështje “të organi disiplinor inspektues kompetent” kur çështjet kanë ose mund të kenë një ndikim thelbësor një procesin e rivlerësimit, kur këto çështje mund të përbëjnë bazë për një shkarkim nga detyra.”
Sipas vëzhguesve, nëse ligji interpretohet ndryshe, kjo sjell “vendimin e papërshtatshëm të konfirmimit në detyrë për shkak se KPK është në pamundësi ose i mungon dëshira të marrë në konsideratë (siç duhet) çështje thelbësore që mund të kenë rëndësi themelore për rezultatin e rastit specifik”.
KPK ka konfirmuar në detyrë dhe ka dërguar për inspektim për çështje të ndryshme një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh. Në një rast një subjekt u dërgua për inspektim pa shkak.
Vëzhguesit thonë: “Në një situatë të tillë Vëzhguesit Ndërkombëtarë besojnë se KPK mund të heqë dorë nga roli i saj kushtetues.” Vëzhguesit shtojnë se nëse Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzon këtë çështje, edhe roli kushtetues i KPA është i rrezikuar.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu