img
    Nga: Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) datë: 13 Shkurt 2019

Tabela paraprake e vlerësimit të fakteve/vlerësimit nga monitorimi, Datë: 13.02.2019

Seanca e rivlerësimit për subjektin Hysni Demiraj, zgjati për dy orë, ku nuk munguan tonet e larta mes tij dhe monitoruesit ndërkombëtar si dhe akuzat e disa qytetarëve.
Pas relacionit të trupit gjykues, subjekti paraqiti shpjegimet e tij. Mes subjektit dhe përfaqësuesit të ONM-së, Theo Jacobs, pati replika në lidhje me huanë prej 5 milionë lekësh, marrë një të njohuri të familjes si edhe për ngjarjen e vitit 1997, në gjykatën e Gjirokastrës. Vëzhguesi i ONM-së ngriti pikëpyetje mbi këtë ngjarje, duke i kujtuar se nuk është detyra e gjyqtarit të bëjë “kaubojsin”.
“Ngjarja nuk ka qenë për t’u sjellë si kaubojs, por për të mbrojtur jetën time në radhë të parë, sepse isha goditur me levë hekuri. Pastaj u ndikova dhe emocionalisht, pasi pashë policin me kokë të çarë. Në Gjirokastër kemi punuar në një situatë të jashtëzakonshme në ’97, policia nuk kishte asnjë pushtet mbi Lazaratin”, u shpreh gjyqtari, që kërkoi ndjesë edhe për tonet e larta ndaj monitoruesit ndërkombëtar.
Monitoruesi ndërkombëtar u ndal gjatë në çështjen e huasë, duke i kërkuar shpjegime, madje duke e konsideruar si shkelje etike për gjyqtarin marrjen e huasë nga persona privatë, me një kontratë të nënshkruar 3 muaj më vonë dhe pa interesa, teksa në bankë asokohe interesat ishin mjaft të larta. Subjekti u shpjegua për këtë marrëdhënie me mikun e familjes së bashkëshortes, duke përdorur të drejtën zakonore shqiptare. Ai u shpreh se biznesmeni, i ishte vetëofruar për ta ndihmuar, kur e pa të shqetësuar se nuk kishte ku të jetonte, pas zgjedhjes si anëtar i KLD-së.
Për më tepër, tha se nuk kishte dhënë asnjë interes për huanë edhe pse në kontratë ishte shënuar 2.5%. Në fund gjyqtari kërkoi konfirmimin në detyrë.
Fjala e subjektit u shoqërua me reagime nga disa qytetarë të pranishëm, të cilët në fund të seancës me tone të larta e akuzuan për një vendim të padrejtë për çështje pronash.
Në lidhje me parimin e publicitetit të gjykimit, rezulton se është respektuar. Data, vendi, dhe ora e zhvillimit të seancës dëgjimore u njoftuan paraprakisht, në faqen zyrtare të KPK-së. Seanca ishte e hapur për të interesuarit, që mund ta ndiqnin atë, pas shënimit të gjeneraliteteve në hyrje të sallës. Mediave po ashtu, u ishte krijuar hapësira e nevojshme, për ndjekjen e seancës.
Kamerat u lejuan të xhironin vetëm gjatë hapjes së seancës.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu