img
    Nga: Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) datë: 12 Shkurt 2019

Tabela paraprake e vlerësimit të fakteve/vlerësimit nga monitorimi, Datë: 12.02.2019

Seanca për rivlerësimin e subjektit Irma Balli, Drejtuese e prokurorisë së Apelit Korçë, zgjati dy orë, kohë gjatë së cilës, relatori i çështjes paraqiti rezultatet e hetimit të thelluar nga KPK, lidhur me pasurinë e subjektit. Për afro gjysmë ore, edhe subjekti paraqiti pretendimet dhe konkluzionet e saj.
Një nga kundërshtimet kryesore të subjektit, ishte mosrealizimi i procesit të vettingut për të tre kriteret, duke e vlerësuar rastin si të paragjykuar dhe në shkelje të parimit për një proces të rregullt ligjor.
Ndonëse trupi gjykues e cilësoi si një praktikë të konsoliduar procesin e vettingut me një kriter (pasuria), kjo mënyrë procedimi, krijon një standard të dyfishtë gjykimi me subjektet e tjera të rivlerësimit.
Kjo për faktin, se nuk ka kritere të përcaktuara, të cilat do ta bënin të pakontestueshme, vendimmarrjen e trupit gjykues për mos vlerësimin në të tre komponentët.
Pavarësisht kalimit ose jo të kriterit pasuror, është e drejtë e subjektit të njihet edhe me rezultatet e vlerësimit për dy kriteret e tjera, atë moral dhe profesional.
Me këtë rast, ajo solli në vëmëndje se ishte certifikuar nga DSIK për pesë vite për të pasur akses në dokumente tepër sekrete, që nuk ishte perfshirë në raport.
Sa i përket rezultateve të hetimit të KPK-së, rezultoi se subjekti ishte vënë në dijeni më herët, duke iu vënë në dispozicion koha e arsyeshme, për të paraqitur prova të reja, si edhe për të përgatitur konkluzionet përfundimtare. Por kërkesa e saj, e paraqitur në seancë për të thirrur dëshmitarë, u refuzua nga trupi gjykues.
Për afro gjysmë ore gjatë shpjegimeve te dhëna, prokurorja kundërshtoi raportin e ILDKPKI, për të cilin tha se ishte e tronditur, pasi edhe pse ka deklaruar pasurinë pranë këtij institucioni që nga viti 2003, asnjëherë nuk është thirrur apo të jetë adresuar ndonjë ankese ndaj saj për deklarim të pasaktë.
Edhe rezultati i hetimit të KPK-së, u kundërshtua nga subjekti, me pretendimin se ka disa pasaktësi financiare. Prokurorja theksoi se ka nisur punë me bashkëshortin që në vitin 1987 dhe nuk mund të nise nga zeroja analiza në vitin 2003, kur ka startuar deklarimi prane ILDKPI. Subjekti kërkoi ri konfirmimin në detyrë.
Në lidhje me parimin e publicitetit të gjykimit, rezulton se është respektuar. Data, vendi, dhe ora e zhvillimit të seancës dëgjimore u njoftuan paraprakisht, në faqen zyrtare të KPK-së.
Seanca ishte e hapur për të interesuarit, që mund ta ndiqnin atë, ndërsa kamerave iu dha mundësia të xhironin vetëm gjatë hapjes së seancës.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu