img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/29

Një pagesë 30 mijë euro dhe të ardhurat nga bujqësia debatohen në seancë për gjyqtarin Hysen Saliko

Hysen Saliko, gjyqtar me karrierë të gjatë, fillimisht në gjykatën e Ersekës në Kolonjë dhe më pas si Inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë, debatoi me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe me vëzhguesen ndërkombëtare mbi ekzistencën dhe ligjshmërinë e të ardhurave të tij nga ekonomia bujqësore e familjes si dhe mbi një pagesë të regjistruar nën emrin e tij me vlerë 30 mijë euro në një bankë të nivelit të dytë, për të cilën Saliko thotë se duhet t’i jetë falsifikuar firma.
Saliko ishte vetë i pranishëm në seancë bashkë me avokatin Sokol Azizi ndërsa u lavdërua për aftësitë e tij profesionale, rezultoi i përshtatshëm në lidhje me pastërtinë e figurës por habiti trupën gjykuese dhe vëzhguesen ndërkombëtare për shkak të të ardhurave të konsiderueshme vjetore të deklaruara prej tij si produkte të aktivitetit të mbarështimit të bletëve të kryer në fshatin e tij të lindjes në zonën e Mollasit në Kolonjë.
Sipas Salikos, ai dhe familja e tij zotërojnë një fermë të specializuar në mbarështimin e bletëve dhe me një kopsht me 400 rrënjë mollë, aktivitet që i ka dhënë familjes mundësinë të blejë dy apartamente në Tiranë dhe një makinë modeste prodhim i vitit 2002. Deklaratat e pasurive të Salikos tregojnë se bujqësia dhe në veçanti, bletaria, i kanë dhënë familjes së tij disa qindramijëra lekë çdo vit për një total prej rreth 15 milionë lekësh përgjatë dekadave të fundit.
Relatorja Suela Zhegu deklaroi se të ardhurat nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacion dhe se për rrjedhojë, Saliko rezulton në pamundësi për të blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë, për të cilën Saliko ka deklaruar si burim të ardhurash kursimet familjare nga paga dhe nga bletaria. Por subjekti rezulton se për të njëjtin apartament ka deklaruar pagesa të kryera cash në llogarinë e kompanisë së ndërtimit dhe njëkohësisht, 30 mijë euro të paguara në një bankë të nivelit të dytë, të cilat nuk janë deklaruar nga subjekti.
Gjyqtari Saliko dhe avokati i tij deklaruan në seancë se subjekti nuk e ka bërë pagesën 30 mijë euro, duke sugjeruar se dikush tjetër ka bërë pagesën në emër të tij dhe i ka falsifikuar firmën. Saliko paraqiti edhe një dokument të cilin e përshkroi si një ekspertizë që vërtetonte se firma e tij në dokumentin e derdhjes së shumës ishte e falsifikuar.
Vëzhguesja ndërkombëtare pyeti se për çfarë arsyeje dikush mund të derdhë në bankë pagesë në emër të një personi tjetër duke falsifikuar firmën e këtij të fundit si dhe si shpjegohet që ky person, përveçse ka bërë derdhjen në emër të tij, ka depozituar edhe të dhëna personale të subjektit. Saliko deklaroi prerazi se ai nuk është personi që ka depozituar paratë dhe se ka bërë kallëzim penal për falsifikim për këtë rast.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu