img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/29

KPA rrëzon ankimin e ish-gjyqtarit Genci Sinjari kundër ndërprerjes së procesit të vetingut

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën të rrëzojë ankimin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Genci Sinjari kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj tij për shkak të dorëheqjes – si dhe humbjes së të drejtës për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Vendimi i shtatorit 2018 i KPK, për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për gjyqtarin Genci Sinjari erdhi pas një vendimi të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD për mbarimin e statusit të magjistratit. KLD vendosi përfundimin e statusit të magjistratit për Sninjarin, pasi ky i fundit kishte paraqitur dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit dhe i kryetarit pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama shpjegoi se Sinjari pretendonte në ankimin e tij se KPK nuk kishte kryer proces të rregullt ligjor, nuk i ishte dhënë e drejta të dëgjohej si dhe vendimi ishte marrë në interpretim të gabuar të nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ai kërkonte ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe vazhdimin e procesit të rivlerësimit. Kryesuesja Ina Rama shpjegoi gjatë shpalljes së vendimit se ankuesit Genci Sinjari i’u dha e drejta që të dëgjohej në seancë publike në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke u korigjuar kështu shkelja proceduriale e kryer në shkallën e parë. Sipas Kolegjit, edhe pse Sinjari kishte konfirmuar marrjen dijeni për zhvillimin e seancës publike kur do të shqyrtohej ankimi i tij, nuk u paraqit si dhe nuk parashtroi ndonjë shkak për mosprezencën.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu