Analizë e pasurisë së prokurorëve në Republikën e Shqipërisë
Të dhënat parësore të këtij studimi bazohen në analizimin sasior dhe cilësor të vetëdeklarimeve të
pasurisë së 333 prokurorëve të marra nga ILDKPKI nëpërmjet kërkesave për dokumente publike,
bazuar në Ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
Të dhënat dytësore për këtë studim bazohen në raportet e botuara më parë mbi këtë fushë, si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për
vlerësimin dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar.
Objekt i këtij studimi janë prokurorët e të gjitha shkallëve të sistemit të akuzës në Republikën e
Shqipërisë, që kanë qenë në funksion deri në dorëzimin e deklarimit periodik vjetor 2015 pranë
Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Bazuar në këtë kriter përzgjedhjeje, janë marrë kopje të deklaratave të interesave private për 333 prokurorë, duke krijuar një bazë
krahasuese për pasurinë e tyre dhe burimin financiar të deklaruar, për shkak të kohëzgjatjes së
detyrimit ligjor për deklarim pasurie.
Studimi hedh dritë jo vetëm mbi mënyrën e rritjes së pasurisë nga prokurorët, por edhe mbi teknikat
e fshehjes së prejardhjes së kësaj pasurie; ku përfshihen dhurata apo huamarrje nga familjarë
dhe persona të lidhur, pasuri të shumta të trashëguara, kredi bankare në vlera të konsiderueshme,
transaksione të shumta në pasuritë e paluajtshme apo në qiradhënie, si dhe mbajtja e likuiditeteve
Cash jashtë sistemit bankar.
Bazuar në sa më lart, ky raport ka për qëllim të ofrojë një panoramë të qartë mbi strukturën dhe origjinën
e pasurisë të deklaruar të prokurorëve, duke ofruar informacion të mjaftueshëm mbi ndryshimet që ka
pësuar pasuria e tyre, strukturën e detyrimeve, të ardhurave dhe shpenzimeve – të dhëna që autorët e
studimit shpresojnë të ndihmojnë gazetarët, eskpertët dhe shoqërinë civile për të mbikëqyrur në mënyrë
të pavaruar punën e institucioneve të vetingut, që tashmë ka nisur procesin e rivlerësimit kalimtar për
gjyqtarët dhe prokurorët.