img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/28

Apartamenti i ‘padeklaruar’ ngre pikëpyetje për gjyqtarin Genti Shala

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranë, Genti Shala u përball të martën më 28 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Shala përbëhet nga Firdes Shuli kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessing. Shala e ka filluar karrierën e tij si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 1999, pasi kishte shërbyer prej vitit 1995 në këtë gjykatë si ndihmës gjyqtar. Në vitin 2006 ai është emëruar anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, post që e ka mbajtur deri në vitin 2008. Në vitin 2010, Shala është emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, funksion që e ka edhe sot. Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për gjyqtarin Genti Shala ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe të profesionalizmit. Komisioni e vlerësoi pozitivisht gjyqtarin Shala për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Për 12 denoncime të kryera nga publiku, relatorja Bekteshi tha se një pjesë e tyre ishin të përsëritura dhe se shpjegimet e dhëna prej subjektit do të vlerësohen gjatë vendimmarrjes përfundimtare. Megjithatë, Komisionin ka konstatuar një sërë problemesh të lidhura me deklarimet e pasurisë së gjyqtarit. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI ka konstatuar se gjyqtari Shala ka kryer deklarime të pasakta për pasurinë, se nuk ka burime të ligjshme për justifikimit e tyre dhe të shpenzimeve si edhe nuk i ka deklaruar gjithë pasuritë. Përtej raportit të ILDKPKI, Komisioni ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ për pasurinë e subjektit. Komisioni ka hetuar mbi një apartamenti të me sipërfaqe 79 m2 në vitin 2000 për vlerën 19 mijë USD, i cili në vitin 2004 i është shitur për 1 milionë lekë burrit të tezes së subjektit. Gjyqtari nuk e ka deklaruar në deklaratat periodike të vitit 2003 dhe 2004, pronësinë të apartamentit dhe as të ardhura nga shitja e tij në vitin 2004. Kjo pasuri është deklaruar nga subjekti në deklaratën veting. Në shpjegimet e dhëna ndaj KPK-së subjekti ka pretenduar se apartamenti nuk kishte qenë kurrë i tij, por për shkak të disa rrethanave të diktuara nga familja e tezes, i është dashur të kryejë këto veprime në emër të tyre. Shala ka depozituar në KPK kontrata dhe një prokurorë të posaçme të vitit 2001, për të mbështetur pretendimet e tij.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu