img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/10

KPK shkarkon gjyqtarin Aleks Nikolli

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës Aleks Nikolli u shkarkua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi nuk arriti të justifikonte pasurinë. Nikolli, i cili u hetua nga Komisioni vetëm në një prej kritereve të procesit të vetingut, është ndërkohë nën hetim nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, për korrupsion, si një nga tre gjyqtarët që vendosi zbutjen e dënimit të Dritan Dajtit- i dënuar për vrasjen e 4 policëve, Dëshmorë të Atdheut.
Gjatë seancës dëgjimore ndaj Nikollit që zgjati 8 orë, atij iu vunë në dukje probleme të shumta të pasurisë, të cilat i kundërshtoi në parashtrimet e tij.
Gjatë seancës dëgjimore Komisioni konstatoi pamundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe në fshatin Ishull Shëngjin të Lezhës, ku gjyqtari Aleksi rezulton si pronar i katit të dytë me sipërfaqe 147.8 m2. Sipas KPK nga analiza financiare rezultoi se Nikolli nuk mbulonte me të ardhura të ligjshme 6.2 milion lekë të investimit.
Komisioni ngriti po ashtu dyshime për veprime fiktive lidhur me blerjen dhe shitjen e një njësie shërbimi 12 m2 në qytetin e Lezhës. Nga hetimi ka rezutuar se Nikolli e ka blerë këtë pasuri në vitin 2008 për vlerën 1.2 milionë lekë dhe i’a ka shitur në shumën 3.2 milionë lekë vjehrrit të ardhshëm në vitin 2009. Probleme po ashtu u gjetën edhe për një kontratë për blerjen e një apartamenti në Tiranë.
Nikolli i kundërshtoi gjetjet e Komisionit në një mbrojtje të gjatë për rreth 6 orë. Ai këmbënguli se pasuria e tij ishte modeste dhe se kishte vetëm apartamentin në fshat. “Kam qenë gjyqtar mbi mesataren dhe kam dashur t’u ngjaj gjyqtarëve evropianë. Në gjithë statistikat kam qenë në top-listë. Pavarësisht kësaj, nuk më ka përfillur askush, edhe në Apel më emëruan se kishte vende bosh,” tha ai para KPK-së.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu