img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/18

Të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni penalizuan prokuroren Rozeta Qirjaqi

Prokurorja e Apelit të Korçës, Rozeta Qirjaqi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk e bindi treshen gjykuese se 7.7 milionë lekë të vendosura në llogari bankare nga i shoqi në fund të viteve ‘90 kishin burim të ligjshëm.
Vendimi i zbardhur së fundmi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tregon se Qirjaqi u gjend me disa mosdeklarime dhe pasaktësi në deklarimet vjetore, por ajo që duket se e penalizoi ishte arsyetimi i KPK-së se pavarësisht pretendimeve të saj dhe disa dokumenteve bankare nga Greqia, të ardhurat nga emigracioni të vendosura në depozita bankare në vitit 1998 nuk kishin burim të ligjshëm dhe nuk mund të konsideroheshin të tilla.
Trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, Roland Ilia relator dhe Firdes Shuli anëtare, arriti po ashtu në përfundimin se mosdelarimi i dënimit të nipit për akuzën prodhim dhe shitje të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim, penalizonte gjyqtaren në kriterin e figurës.
Rozeta Qirjaqi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 dhe ka punuar si prokurore në Prokurorinë e Korçës. Në vitin 2008, ajo është emëruar prokurore e Apelit të Korçës, detyrë të cilën e kryente deri para vendimit të KPK më 8 korrik 2020.
Vendimi i KPK është kryesisht i fokusuar të një shtëpi dykatëshe e ndërtuar mbi një truall 300 metra të blerë nga Qirjaqi në vitet 90. KPK arsyetoi se ajo kishte bilanc negativ të ardhurash për blerjen e truallit në shumën 181 mijë lekë. Ndërsa nuk mori parasysh pretendimet e Qirjaqit për të ardhurat e familjes nga bujqësia.
Ndërkohë, ndërtimi i një shtëpie dy katësheve mes viteve 2004-2006 nga bashkëshorti dhe prokurorja në të njëjtin truall u gjet me një sërë problemesh. Komisioni arsyeton se Qirjaqi kishte deklaruar gabim sipërfaqen totale të ndërtimit, duke deklaruar vetëm 141 metra nga 282 që ishte në të vërtetë ndërtesa.
Komisioni po ashtu arsyetoi duke iu referuar Entit Kombëtar të Banesave se kosto e ndërtimit dhe arredimit e pretenduar si 7 milionë lekë, ishte 2.4 milion lekë më shumë. Komisioni nuk i cilësoi si provuese pretendimet e Qirjaqit se punimet ishin kryer nga bashkëshorti, kunati dhe vëllai i saj. Dhe po ashtu tha se nuk kishte dokumente për të provuar kostot.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu