Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e gjyqtares Alkelina Gazidede
Pas një rekomandimi kritik të ONM-së, edhe Komisioneri Publik ankimoi të enjten në Kolegj vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Alkelina Gazidede, duke kërkuar shkarkimin e saj nga detyra.
Ankimi i komisionerit Darjel Sina përfshin kriterin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, ndërsa Kolegjit i kërkohet që ta shqyrtojë çështjen me prioritet, për shkak të referimit të subjektit në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.
Gjyqtarja Gazidede u konfirmua në detyrë më 10 korrik nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Firdes Shuli, ndërsa dy çështje për të cilat ajo u akuzua se kishte konflikt interesi dhe kishte shkelur parimin kushtetues të paanshmërisë u dërguan për procedim disiplinor pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë –bashkë me dy vendime të Gjykatës së Lartë që i kishin rrëzuar ato.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e kritikoi vendimin e KPK-së për t’i transferuar çështjet, duke e komentuar këtë si “heqje dorë nga detyra kushtetuese”.
Edhe Komisioneri Publik argumenton në ankim se transferimi i çështjeve drejt Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është bërë në kushtet e interpretimit të gabuar të ligjit dhe se Gazidede nuk përmbushte kriterin minimal kualifikues për etikën dhe aftësitë profesionale.
“Vendimmarrja e Komisionit për transferimin e dy çështjeve organit inspektues është rrjedhojë e interpretimit të gabuar të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016. Konflikti i interesit është një situatë që prek edhe pjesën etike të një magjistrati, veçanërisht në kontekstin përsëritës si në rastin e znj. Gazidedja, fakt i cili duhet ta kishte drejtuar Komisionin në një konkluzion ndryshe…,” thotë Komisioneri në ankim.