img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/02

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj, përballet me vetingun

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK ku gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet për të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Vojsava Osmanaj përbëhet nga Suela Zhegu kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Genta Tafa Bungo anëtare.
Relatori Lulzim Hamitaj sqaroi se gjyqtarja Osmanaj ka filluar punë në vitin 2007 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Në vitet 2013-2016, ajo ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.
Lidhur me pasurinë, Hamitaj evidentoi mungesë të burimeve financiare të prindërve të Osmanajt për një pjesë të vogël të një huaje në vlerën totale 1 milionë lekë që i kanë dhënë të bijës për blerjen e një apartamenti – si dhe të bashkëshortit për blerjen e një autoveturë para bashkëjetesës së tyre.
Në vitin 2012, gjyqtarja Osmanaj ka nënshkruar një akt-marrëveshje për përfitimin e një apartamenti 78.5 m2 në Pogradec kundrejt vlerës 3 milionë lekë. Hamitaj shpjegoi se nga verifikimet e KPK ka rezultuar se subjekti ishte bashkëpronare në truallin ku është ndërtuar pallati dhe se ishte dakortësuar me investitorët që ta përfitonte banesën kundrejt vlerës 3 milionë lekë që, do të paguhej në dy këste – i pari 1.1 milion lekë në nënshkrimin e aktit të marrëveshjes dhe shumën 1.9 milion lekë kur të merrej në dorëzim pasuria.
Subjekti ka deklaruar si burim të pagesës së këstit të parë huanë në shumën 1 milion lekë të marrë nga prindërit. Hamitaj tha se prej analizës financiare ka rezultuar se prindërit kanë qenë në pamundësi financiare për dhënien e huasë 1 milion lekë, për një vlerë 187 mijë lekë.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Osmanaj deklaroi se prindërit kishin patur të ardhura të mjaftueshme për vlerën e dhënë hua. Ajo tha se kishte depozituar një akt-ekspertimi kontabël lidhur me të ardhurat e përfituara nga prindërit e saj nga një aktivitet privat. Osmanaj shpjegoi se kishte vërtetuar që prindërit kishin administruar një aktivitet bar-kafe, që e kishin nisur prej vitit 2000 dhe kërkoi të përfshiheshin në analizë të ardhurat minimale të mundshme të konkluduara bazuar në dokumentacionin e siguruar prej saj për pagesën e tatimeve gjatë periudhës 2005-2008.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu