img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/17

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin e Apelit Administrativ, Arjan Qafa

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të enjten shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit gjyqtari Arjan Qafa nuk ishte i pranishëm.
Trupi gjykues i Komisionit që kreu rivlerësimin e gjyqtarit Arjan Qafa përbëhej nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni identifikoi probleme në të tri kriteret. Relatorja vuri në dukje se subjekti nuk kishte provuar burimin e ligjshëm të 80 mijë eurove, të deklaruara si të ardhura të bashkëshortes para martese, 47 mijë eurove dhurata që ai kishte marrë nga familja e tij dhe 7.4 milionë lekëve të krijuar nga interesat e huave prej shumës 80 mijë euro të bashkëshortes.
Sipas KPK, analiza financiare për shpenzimet e kryera nga Qafa dhe bashkëshortja pas vitit 2008, bazoheshin kryesisht në këto të ardhura, por për shkak se nuk ishte provuar burimin ato nuk ishin përfshirë në analizë.
Në seancë u evidentua një raport i dytë i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ku Qafa vlerësohej si i papërshtatshëm. Për kriterin e profesionalizmit u identifikuan dy çështje, ku në njërën Qafa kishte dhënë dënim më të butë nga sa kishte kërkuar prokurori për një të pandehur që ishte përsëritës në kryerjen e veprës penale, ndërsa në rastin tjetër kishte pranuar një padi pa shqyrtuar provat.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu