img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/16

KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Tiranës, Alket Mersini

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të mërkurën shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Alekt Mersini. Trupi gjykues i KPK i përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Xhensila Pine anëtare e përfunduan procesin e rivlerësimit për prokurorin Mersini në të tri kriteret.
Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 14 shtator, Komisioni identifikoi pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe pasaktësi në deklarime.
Komisioni konstaton se Mersini nuk ka paguar tatimin mbi të ardhurat në vlerën 8.5 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan dhe për pasojë kjo shumë nuk është përfshirë në analizën financiare për blerjen e banesës në Tiranë.
Mersini tha se diferenca e përfituar nga shitja e apartamentit në Elbasan nuk ishte 8.5 milionë lekë sa konstaton KPK, duke argumentuar se kishte kryer edhe shpenzime të tjera për këtë pasuri. Ai shpjegoi se nuk e zotëronte si pronë në vitin 2011 apartamentin në Elbasan dhe se në këtë periudhë nuk parashikohej në ligj që të paguhej tatim për të ardhurat e përfituara nga shitja e një të drejte reale, por vetëm për të ardhurat e shitjes së një prone.
KPK konstaton se prokurori Mersini nuk kishte patur mundësi financiare për blerjen e dy apartamenteve. Në seancën dëgjimore ai u pyet edhe lidhur me transferimin e një vlere 40 mijë euro nga shoqëria ndërtuese ku kanë blerë apartamentin në Tiranë, në llogarinë e bashkëshortes. Mersini tha se sapo e kishte mësuar këtë gjë i kishte thënë bashkëshortes që t’ia kthente shoqërisë dhe se kështu kishte ndodhur.
Prokurori Mersini u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u identifikuan probleme për profesionalizmin.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu