img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/21

Vendimi i KPK: Flutura Skënderi u shkarkua për mungesë burimesh dhe pasaktësi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 23 korrik të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Flutura Skënderi, pasi u konstatua mungesë burimesh të ligjshme për justifikimin e investimeve dhe shpenzimeve, si dhe mosdeklarime të disa veprimeve juridiko-financiare.
Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Skënderi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u evidentuan dy raste të konfliktit të interesit. Gjithësesi, Komisioni konkludon se problemet e evidentuara për profesionalizmin nuk janë shkarkuese dhe vlerëson se subjekti ka arritur nivel kualifikues për këtë kriter.
Procesi i vetingut për Skënderin u krye nga Pamela Qirko kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.
Një ndër problemet kryesore ishte pamundësia financiare për përfitimin e një apartamenti në Tiranë, i përbërë nga 57 m2 të përfituara nga shkëmbimi i një trualli 225 m2 dhe nga një shtesë ndërtimore 50 m2, që Skënderi i’a ka blerë shoqërisë ndërtuese për vlerën 40 mijë euro.
Në deklaratën veting, Skënderi ka pasqyruar pronësinë e apartamentit në fjalë, duke specifikuar se një pjesë ishte përfituar nga shkëmbimi i truallit që ajo e gëzonte si trashëgimtare me vendim të KKKP të vitit 2004 – ndërsa pjesën tjetër e ka blerë për shumën 40 mijë euro, nga të cilat nuk kishte shlyer ende 20 mijë euro. Si burim për blerjen e shtesës, Skënderi ka pasqyruar vlerën 5 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti në korrik të vitit 2006.
Komisoni ka gjetur se pagesa 20 mijë euro për shtesën e apartamentit është kryer në vitin 2006, nga pjesa e mbetur e shumës 5 milionë lekë e shitjes së apartamentit, pasi 1.8 milionë ishin përfituar si paradhënie në 2005-ën dhe me këtë shumë është shlyer një kredi.
Në vendim konstatohet mosdeklarim i të ardhurave financiare të përfituara nga kësti i parë në vlerën 1.8 milionë lekë në vitin 2005. Skënderi ka shpjeguar se përfitimi i shumës prej 1.8 milionë lekë nuk gjendet në deklaratën e vitit 2005, pasi ky veprim është formalizuar në mars të 2006.
Ndërkohë, në vitin 2006 ajo nuk e ka deklaruar detyrimin e mbetur ndaj shoqërisë ndërtuese dhe as pagesën e kryer në atë vit, prej 20 mijë eurosh. Gjyqtarja Skënderi ka shpjeguar para Komisionit se mungesa e deklarimit të detyrimit ndaj shoqërisë ndërtuese, ka ndodhur për shkak se punimet e brendshme nuk po kryheshin dhe se është rënë dakord verbalisht me shoqërinë sipërmarrëse që t’i kryente ajo vetë, në këmbim të shumës së pashlyer 20 mijë euro. Në vendim konstatohet mospërputhje midis deklarimeve të Skënderit ndër vite dhe në atë veting lidhur me detyrimin 20 mijë euro të pashlyera shoqërisë; si dhe mospërputhje midis qëndrimit dhe pohimeve të administratorit të shoqërisë ndërtuese dhe shpjegimeve të subjektit, të dhëna përgjatë procesit të rivlerësimit lidhur me momentin dhe mënyrën e lidhjes së marrëveshjes, zotërimin e apartamentit, kohën e kryerjes së punimeve të brendshme dhe vlerës së tyre.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu