Kolegji shkarkon ish-prokuroren e Tiranës Donika Prelën
Ish-drejtuesja e Krimeve të Rënda, Donika Prela shkarkohet nga detyra dhe vendimi ka marrë formë të prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Procesi për ish-drejtuesen e Krimeve të Rënda mori një kohë relativisht të gjatë, duke shënuar mbarimin me seancën e këtij fund shtatori.
Seancat para shkallës së dytë të “vettingut” nuk ishin të njëtrajtshme.
Rihapja e hetimeve për Donika Prelën u bë me kërkesë të Komisionerit Publik, i cili kishte konstatuar disa pasaktësi në deklarimin e të ardhurave të Donika Prelës.
Në një prej seancave Prela kërkoi edhe përjashtimin e dy gjyqtareve Natasha Mulaj e Ina Rama, por me vendim unanim KPA vendosi rrëzimin e kësaj kërkese.
Donika Prela ishte një nga emrat që solli reagim edhe në qarqet politike për shkak të hetimit të disa dosjeve të forta që sollën jehonë në aktualitetin e vendit. Donika Prela u konfirmua në detyrë në shkurt të vitit të kaluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, dhe u deshën plot 7 muaj që shkalla përfundimtare e “Vettingut” për gjyqtarët dhe prokurorët të japë vendimin final.
Para marrjes së vendimit Donika Prela ishte caktuar si prokurore pranë Gjykatës së Tiranës.