Presidenti Meta hap garën për vendin e lirë në Gjykatën Kushtetuese
Presidenti Ilir Meta ka njoftuar sot se ka hapur garën për një vend të lirë në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti ka hapur garën për vendin e lënë të lirë nga Besnik Imeraj. Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe në mjetet e informimit publik. Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t’i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas Kushtetutës dhe ligjit. Një ditë më parë ishte Kuvendi që hapi garën e paracaktuar për Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa sot është radha e presidentit.