img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/24

“Betejë” për çdo qindarkë, udhëtimet në Britani penalizuan gjyqtaren Nure Dreni

Në një “betejë” dokumentesh, biletash dhe faturash para Komisionit të Pavarur të Kualfikimit, që duket se u bë për çdo qindarkë të shpenzuar, gjyqtarja Nure Dreni, nuk ia doli sipas vendimit të Komisionit të provonte burimin për 2.7 milion lekë shpenzime në vitet 2011-2014.

Dreni u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të këtij viti dhe në vendimin e zbardhur rezulton se ajo ka marrë vlerësim pozitiv në dy kritere dhe po ashtu ka përmbysur një pjesë të mirë të barrës së provës në kriterin e pasurisë.

Nga të dhënat e bëra publike në vendimin e Komisionit rezulton se Dreni, që deri së fundmi ishte gjyqtare e ish-Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe më pas asaj të Posaçme, u penalizua pasi nuk justifikoi dot me burime shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Britani dhe udhëtimet jashtë vendit.

“Në përfundim të analizës financiare të kryer për vitet e deklarimeve periodike 2003-2016 rezultoi se subjekti dhe personat e lidhur kishin mungesë likuiditetesh në vitet 2011, 2012, 2013 dhe 2014, për të cilat, bazuar në nenin 52 të ligjit nr. 84/2016 dhe nenin D të Aneksit të Kushtetutës, iu kalua barra e provës, për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në vendim.

Nga vendimi i zbardhur del se Dreni, që u gjykua nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhesila Pinen dhe anëtare Suela Zhegun, ia kishte dalë të kthente pas një vendim të Komisionit për ta mbyllur hetimin vetëm në një kriter.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu