KPK do të rihetojë pasurinë e prokurorit Kol Hysenaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të riçelë hetimin për prokurorin e Tiranës Kol Hysenaj.
Përmes një njoftimi për median, KPK sqaron se seanca e planifikuar për në 25 shtator, për të dhënë vendimin, është shtyrë pasi do të vazhdojnë hetimet për pasurinë e tij.
Siç Exit News ka shkuar më parë, KPK ka gjetur një sërë problemesh me pasurinë e prokurorit, i cili rezulton se krahasuar me vitin 2003, e ka 20-fishuar pasurinë e tij.
Exit News sjell më poshtë problemet e gjetura gjatë vetingut të Hysenajt:
Pasuria
Hysenaj ka nisur detyrën si prokuror në 1997, ndërsa deklarimet e para i ka kryer në vitin 2003. Ai ka shërbyer në prokurorinë e Lushnjes, Kavajës, Korçës, Tiranës.
Sipas deklarimeve të pasurisë të publikuara nga Reporter.al, nga viti 2003 deri në vitin 2017, pasuria e tij është rritur me mbi 20 herë.
Në deklaratën e parë të vitit 2003, prokurori Hysenaj deklaronte pasuri familjare me vlerë 1.9 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 40.8 milionë lekëve.
Pasuritë e patundshme me vlerë e 30.5 milionë lekëve. Automjete me vlerë 8.9 milionë lekë. Para në bankë me vlerë 1.3 milionë lekësh.
Në vitin 2016 ka blerë një truall dhe banese në qytetin e Korçës me vlerë 125 mijë euro, me burim të ardhurat ndër vite.
Në vitin 2011, prokurori Hysenaj deklaron blerjen e një toke me vlerë 11.2 milionë lekë në fshat si dhe ndërtimin e një shtëpie me sipërfaqe 270 m2, për të cilën mungojnë të dhënat mbi koston e ndërtimit.
Gjatë viteve të deklarimit, subjekti deklaron disa herë shitblerje ose shkëmbime makinash, me kosto më të lartë sesa çmimi i blerjes.