img
    Nga: exit.al datë: 2020/09/25

SPAK kërkon për herë të dytë pushimin e çështjes së gjyqtarëve të Dritan Dajtit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka kërkuar për herë të dytë pushimin e çështjes ndaj tre gjyqtarëve, të cilët votuan pro heqjes së dënimit me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit.

Sipas Shqiptarja.com, SPAK argumentoi se nuk ka asnjë provë për të vërtetuar akuzat ndaj tre gjyqtarëve.

Në janar të këtij viti, SPAK vendosi të pushojë çështjen për këta gjyqtarë me të njëjtin argument.

Por Gjykata e re Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi se SPAK nuk ka bërë hetime të mjaftueshme për korrupsionin e mundshëm të tre gjyqtarëve që i ulën dënimin Dajtit nga 4 burgime të përjetshme në 25 vite burg për vrasjen e katër policëve.

Trupa prej pesë gjyqtarësh e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar dhe ia uli atij dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.

Në shkurt të 2019, policia ushtroi kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të çështjes Dajti. Sipas policisë, kontrolli erdhi si pasojë e informacioneve se gjyqtarët kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë dhënë një vendim në kundërshtim me ligjin.

Policia ndaloi gjyqtarin e çështjes Dajti, Skënder Damini. Policia gjeti armë, municione dhe 20 mijë euro në banesën e tij. Njëra armë ishte pa leje.

Në një artikull të mëparshëm, Exit argumetoi se vendimi i SPAK për të pushuar çështjen e gjyqtarëve i jep një goditje të fortë besimit të publikut për këtë institucion të shumëpritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e zyrtarëve të lartë.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu