Rivlerësimi, KPA shkarkon ish drejtuesen e Krimeve të Rënda
Në Shqipëri, ish drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, u shkarkua sot nga detyra, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për shkak të problemeve me deklarimin e pasurisë.
Në Shkurt të vitit të kaluar, prokurorja Prela, kaloi me sukses Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, shkalla e parë e procesit të rivlerësimit. Por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin që e cilësonte atë të përshtatshme për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë.
Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit, u shpreh se zonja Prela nuk mundi të justifikonte burimet e të ardhurave me të cilat ajo ka blerë një apartment në kryeqytet si dhe një depozitë bankare prej 4.5 milion lekësh. Po ashtu, sipas Kolegjit, prokurorja ka fshehur dhe një hua prej 25 mijë eurosh dhënë nga bashkëshorti i saj. Edhe për këtë shumë, Kolegji u shpreh se nuk ka një burim financiar të justifikuar.
Zonja Prela shërbente aktualisht si Prokurore në Prokurorinë e shkallës së Parë në Tiranë. Vitin e kaluar ajo nuk u kualifikua në garën për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.
Po sot, Gjykata vendosi se anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, do të duhet t’i nënshtrohet procesit gjyqësor, për akuzën e falsifikimit. Zoti Daci u mor i pandehur nga SPAK-u, pas dyshimeve se në fazën e konkurrimit për në Kolegj, ai kishte fshehur faktin që në vitin 1997 ishte shkarkuar nga detyra si gjyqtar.