img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/28

Kolegji u nda për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alma Kolgjoka

Pas një maratone të gjatë në veting, kryetarja e Gjykatës së Krujës, Alma Kolgjoka u konfirmua në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 25 qershor 2020. Por vendimi i arsyetuar tregon se jo e gjithë trupa gjyqësore ka qenë dakord me këtë vendim.

Kolgjoka u përball me Kolegjin pas një ankimi të Komisionerit Publik, Dariel Sina, përmes së cilit ai kërkonte që gjyqtarja të hetohej nëse kishte kontribuar për blerjen e apartamentit nga ana e saj. Sina kërkoi fillimisht që babai i subjektit të konsiderohej person i lidhur.

Kolgjoka i prapësoi shkaqet e ngritura nga Komisioneri, duke argumentuar se nuk ekzistonte asnjë interes pasuror ose marrëdhënie tjetër biznesi ndërmjet saj dhe të atit apo anëtarëve të familjes së origjinës.

Trupa gjykuese e Kolegjit është ndarë 4 me 1 në favor të konfirmimit të kryetares së Gjykatës së Krujës.

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ina Rama e Sokol Çomo anëtarë, në përfundim të gjykimit i vlerësuan të drejta argumentet e Kolgjokës dhe vendosën lënien në fuqi të vendimit të KPK për konfirimin e saj në detyrë.

Për të konkluduar nëse babai i Kolgjokës është ose jo person tjetër i lidhur me të, Kolegji ka vlerësuar mbi informacionet e dërguara nga institucionet publike dhe private lidhur mbi transaksione të mundshme mes subjektit të rivlerësimit dhe anëtarëve të familjes së origjinës.

KPA ka verifikuar edhe deklaratat e pasurisë, nga është konkluduar se subjekti ka deklaruar vetëm të ardhura nga paga e saj si gjyqtare dhe nuk ka deklaruar kursime në asnjë lloj forme – as kursime cash dhe as të depozituara në sistemin bankar.

“Edhe në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 dhe 2012, kur subjekti kishte krijuar familjen e saj dhe ishte ndarë nga familja e origjinës, ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga e saj dhe nga paga e bashkëshortit, dhe nuk ka deklaruar kursime, dhënie huaje apo dhurime te persona të tjerë”, konstaton shumica.

Shumica vlerëson se nuk u provua përfshirja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e gjyqtares Kolgjoka në krijimin e pasurisë që zotëron familja e origjinës dhe çmon se provat e administruara në gjykim provuan mjaftueshëm mungesën e marrëdhënies së interesit të subjektit të rivlerësimit me babain e saj.

KPA ka rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Komisionerit se babai i subjektit të rivlerësimit duhej të cilësohej nga Komisioni si person tjetër i lidhur, pasi Kolgjoka është gjendur në kushtet e përdorimit të kësaj pasurie, duke qenë se edhe ajo vetë ka deklaruar se ka qëndruar me ditë në shtëpinë e prindërve për shkak të nevojave të saj për rritjen e fëmijëve.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu