img
    Nga: RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR datë: 2020/09/30

Ish- kryeprokurorja Arta Marku, mbetet prokurore në Apelin e Tiranës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot në mesditë mbledhjen plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi miratimin e projekt-akteve “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje të Arben Dyla ”, “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të znj. Violeta Shkurta ” dhe “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë të znj. Arta Marku”.

Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë, figurës dhe integritetit, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të dy kandidatëve për magjistratë në profilin prokuror, znj. Enkeleda Hoxha dhe z. Gazmend Frëngu pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020. Me këtë vendimmarrje, Këshilli hap rrugën për shpalljen e dy vendeve vakante për kandidatët për prokuror.

Më shumicë votash, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri, Petrit Hysa dhe Lindita Male (Ziguri) dhe projekt-aktin për mbarimin e statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit znj. Rabiana Halili, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Seanca plenare është organizuar on-line në lidhje Zoom me të gjithë anëtarët e Këshillit, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, programet EURALIUS dhe OPDAT, në kushtet e distancimit social si rezultat i pandemisë COVID-19.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu