Arta Marku emërohet prokurore në Apelin e Tiranës
Arta Marku do të jetë përkohësisht prokurore në gjykatën e Apelit të Tiranës.
Vendimi për të u mor të mërkurën nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kushtetuta përcakton se “pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit”.
Deri më tani, zonja Marku ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Shkodrës.
Në dhjetor 2017, zonja Marku u zgjodh prokurore e përgjithshme e përkohshme me ndoshta jetëshkrimin profesional më të varfër që mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë homolog i saj në botë, pa ndonjë përvojë profesionale dhe pa aftësi organizative dhe drejtuese.
Deri në momentin e emërimit ajo kishte punuar gjithë kohës si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku kishte ushtruar më shumë funksione koordinuese dhe burokratike sesa hetimore dhe teknike. Sikurse pohoi vetë në seancën e pyetjeve në Kuvend, në gjithë karrierën e saj deri para emërimit ajo kishte ndjekur një numër çëshjesh që “numëroheshin me gishtat e dorës” dhe nuk kishte mbrojtur asnjëherë ndonjë çështje para gjykatës.
I vetmi element i dalluar në karrierën e saj si prokurore ka qenë një rast abuziv me kompetencat e saj, i nxjerrë në dritë nga Komisioni i Vetingut. Sikurse deklaroi anëtari i ONM-së Theo Jacobs, në seancën e vlerësimit të Markut, ajo kishte kërkuar arrest me burg për një të pandehur të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi e kishte mbajtur atë në arrest përtej afateve ligjore. Kjo kërkesë, sipas Jacobs, ka qenë e ekzagjeruar dhe në shpërpjestim me veprën për të cilën akuzohej personi.