Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela përballet me vetingun
Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u identifikuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues i KPK që po kryen procesin e vetingut për Çelën përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhugesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Erjon Çela ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Pogradecit, ai ka punuar si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tropojës. Aktualisht, Çela ka aplikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtar i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Për një apartament me sipërfaqe 90.21 m2 të blerë në Yzberisht të Tiranës në vitin 2015 për vlerën 59 mijë e 862 euro, Çela ka deklaruar si burim krijimi një kredi në shumën 48 mijë euro dhe një hua me afat 10 vjeçar dhe pa interes nga halla e tij në vlerën 11 mijë e 885 euro, të marrë po atë vit.
Komici tha se Komisioni nuk ka gjetur probleme në praktikën e marrjes dhe përdorimit të kredisë si edhe për huanë e marrë prej subjektit nga halla. Sipas KPK, vlera e huasë është transferuar në llogarinë e gjyqtarit Çela dhe se e afërmja e tij kishte rezultuar se kishte pasur burime të mjaftueshme financiare për kursimin e shumës 11 mijë e 885 euro.
Komisioni evidenton pamundësi të Çelës për krijimin e një gjendje cash në shumën 80 mijë lekë në 2016, si dhe një diferencë negative prej 141 mijë lekësh në të njëjtin vit. Komici pohoi se Çela ka shpjeguar para Komisionit se në vitin 2015 kishte marrë edhe një hua në vlerën 420 mijë lekë, pa afat e pa interes, që ka shërbyer për apartamentin në Yzberisht.
Nga verifikimi i Komisionit ka rezultuar se vlera e huasë është depozituar në llogarinë bankare të Çelës, i cili ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se e ka shlyer në vitin 2019, po me transaksion bankar.
KPK ka hetuar mbi mundësinë e huadhënësit E.B. për kursimin e shumës 420 mijë lekë, i cili ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga puna e tij si noter. Komici tha se nga hetimi kishte rezultuar se huadhënësi dhe nëna e tij kishin marrë një kredi në vitin 2013 dhe se nuk kishte logjikë ekonomike që të jepte hua në atë periudhë.
Relatori Komici shtoi se gjyqtari Çela kishte shpjeguar se kjo hua kishte shërbyer kryesisht për pagesën e dokumentacionit të apartamentit dhe një pjesë për shlyrje të kësteve të kredisë. Nga analiza financiare, KPK ka konstatuar pamundësi financiare të huadhënësit për kursimin e vlerës 420 mijë lekë në vitin 2015.
Çela i kërkoi Komisionit që të rikryente analizën financiare të huadhënësit E.B., duke përfshirë edhe të ardhura të tjera të familjarëve të tij.