Kolegji rrëzon ankimin e ish-gjyqtarit Luan Dervishi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten rrëzimin e ankimit të kryer nga gjyqtari i Apelit Shkodër, Luan Dervishi ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.
Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi e shqyrtuan ankimin në dhomë këshillimi, vendosën në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit të KPK për ish-gjyqtarin Luan Dervishi, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.
Luan Dervishi u shkarkua nga detyra më 26 nëntor 2018, pasi u identifikuan probleme të shumta në deklarimet e pasurive dhe mungesë profesionalizmi. Nga hetimi administrativ u konkluduan deklarime të pasakta; fshehje e pasurive dhe mungesë e burimeve të ligjshme për justifikimin e tyre; deklarime të rreme e konflikt interesi.