Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro, sërish përballë vetingut
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi në Kolegj konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit të Tiranës, Elona Toro, duke e konsideruar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të pabazuar në “prova dhe në ligj”.
Përmes ankimit të tij, Komisioneri Publik kritikoi si të paplotë hetimin e kryer nga KPK për gjyqtaren Toro dhe kërkoi riçelje të procesit në Kolegjin e Posaçëm të Apelit.
“…Rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të identifikimit të burimeve të ligjshme të krijimit të të ardhurave të ligjshme, të personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, të ardhura që kanë shërbyer për krijimin e pasurive mbi të cilat ushtron të drejta subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të,” thuhet në ankim.
“Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme rishikimin e analizës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të për periudhën e deklarimit,” shtohet në ankim.
Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro u konfirmua me shumicë votash në detyrë më 17 qershor 2020, pasi kryesuesja e trupës, Firdes Shuli dhe relatorja Pamela Qirko u bindën nga shpjegimet e saj.
Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja arsyetoi në favor të shkarkimit, duke vlerësuar se Toro kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.
Kontestimi kryesor lidhet me burimet financiare të deklaruara për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 112.7 m2 në Tiranë me vlerë 135 mijë euro. Në deklaratën veting, subjekti ka shënuar si burime shumën 5.8 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit në bashkëpronësi me të atin në vitin 2009; hua në vlerën 45 mijë euro të marrë nga miku i bashkëshortit në korrik 2008; 5 milionë lekë kredi të marrë në shkurt 2011 dhe 1.9 milionë lekë të përfituara nga nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor në mars 2006. Si burim për pagesën e këstit të parë prej 12 mijë eurosh, ajo ka deklaruar shumat 6.000 euro dhe 4.000 USD të tërhequra nga llogaria bankare e babait të saj.
Në vendimin e shumicës në KPK argumentohet se “bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit si dhe në mungesë të indicieve të besueshme për fshehje të pasurisë”, Komisioni krijoi bindjen se babai i subjektit ka pasur burime të mjaftueshme për krijimin e shumave 6 mijë euro dhe 4 mijë USD.
Por Komisioneri Publik argumenton në ankim se ky përfundim nuk përputhet me aktet e dosjes dhe se metodologjia e ndjekur mbi llogaritjen e shpenzimeve të jetesës së babait të subjektit nuk mbështetet në jurisprudencën e Kolegjit apo në vendimet e mëparshme të vetë Komisionit.
Ballhysa ngre gjithashtu pikëpyetje mbi metodologjinë e ndjekur për të analizuar mundësinë financiare të huadhënësit –mik me bashkëshortin e subjektit të rivlerësimit, ndërsa arsyeton se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e dokumentuara.