Kryetarja e KED: Vonesat në verifikimin e kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese, pasojë e procesit të vetingut
Kryetarja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Vitore Tusha deklaroi se shpejtësia e procesit te verifikimit të kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese varet nga shpejtesia e procesit të vetingut.
Në një reagim për Balkanëeb, zonja Tusha sqaron se për kandidatët të cilët vijnë nga gjyqësori duhet të pritet përfundimi i vetingut në të dyja shkallët.
Ndërkohë për personat të cilët vijnë nga jashtë gjyqësorit duhet të verifikohet dhe nëse kanë patur apo jo aktivitet politik.
Kjo sipas Tushës kërkon më shumë kohë sepse i kërkohet informacion KQZ-së dhe 53 partive të cilat janë të rregjistruar në Shqipëri.
“Situata e imponuar nga gjendja e krijuar nga përhapja e virusit Covid 2019, solli pezullimin e veprimtarisë së institucioneve. Në këtë periudhë konsiderua mundësia e komunikimit elektronik apo e zhvillimit të mbledhjeve online, por u vlerësua se kjo nuk garantonte kërkesën ligjore që mbledhjet të mbahen të mbyllura”, -argumenton Tusha.
Ndër të tjera ajo pohoi se për vendin e shpallur nga Presidenti janë kualifikuar 2 kandidatë përkatësisht Eugen Papandile dhe Sonila Bejtja.