Vendimi i vetëm për ‘trajnim të detyrueshëm’ sfidohet nga dy ankime në Kolegj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën që të çelë shqyrtimin gjyqësor lidhur me prokurorin e Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj –i vetmi magjistrat i pezulluar nga detyra për të ndjekur trajnimin 1-vjeçar të detyrueshëm në Shkollën e Magjistraturës.
Prokurori Elvin Gokaj përbën rastin e parë dhe të vetëm ku KPK ka aplikuar nenin Ë të Kushtetutës, duke vendosur ndaj tij një masë disiplinore që merret për shkak të mangësive profesionale.
Vendimi i KPK u ankimua në Kolegj si nga Komisioneri Publik ashtu edhe nga vetë Gokaj.
Për komisionerin Darjel Sina, Gokaj duhej të ishte shkarkuar nga detyra për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe për ‘cenim të besimit të publikut te drejtësia’.
Ankim ndaj vendimit të Komisionit ushtroi edhe prokurori Elvin Gokaj, i cili e quan të pambështetur në ligj pezullimin nga detyra për një vit dhe detyrimin për t’u trajnuar pranë Shkollës së Magjistraturës. Gokaj ka ushtruar kundërankim edhe ndaj ankimit të Komisionerit Sina.
Gjatë seancës së të martës, prokurori Gokaj u paraqit së bashku me përfaqësuesen e tij ligjore, avokaten Romina Zaho. Avokatja Zaho tha në fillim të seancës se kishin dorëzuar pranë Kolegjit prova të reja për efekt të ankimit të kryer nga Komisioneri dhe kërkoi administrimin e tyre.
Procesi në KPA po shqyrtohet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.
Ankimi i prokurorit Gokaj
Prokurori Gokaj i paraqiti trupës gjykuese parashtrimet e ankimit të tij ndaj vendimit të KPK. Ai i quajti në kundërshtim me ligjin vendimin për pezullimin e tij nga detyra dhe edukimin e detyrueshëm.
“Janë verifikuar çështje që nuk kishin asnjë lidhje me mua. Janë çështje të prokurorëve të tjerë, të cilët kishin kompetenca të plota në vendimarrjet e tyre. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë atribute që nuk ia jep ligji dhe Kushtetuta,” tha ndër të tjera prokurori Gokaj.
Ai vijoi ta quante jashtë kompetencave të Komisionit interpretimin e çështjeve konkrete dhe theksoi se këtë gjë mund ta bëjë vetëm gjykata. Gokaj tha në seancë se Komisioni nuk i kishte marrë në konsideratë të gjitha provat gjatë vendimarrjes.
“Më ngarkohen probleme të prokurorëve të tjerë. Duket qartazi se më kanë pezulluar duke mos konstatuar asnjë shkelje”, tha Gokaj. Ai shpjegoi se e kishte kryer programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës dhe se e kishte dorëzuar si provë rezultatin e provimit.
“Vazhdoj të mbetem i pezulluar dhe kërkoj që ky ankim të gjykohet nga një organ kushtetues siç është Kolegji i Posaçëm i Apelimit,” kërkoi Gokaj.