img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/16

Ish-gjyqtarja Arjana Fullani kërkon rikthimin ‘nga dritarja’ në sistemin e drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të premten rrëzimin me shumicë votash të një kërkese të ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani për pezullim të gjykimit të ankimit të saj ndaj vendimit të KPK-së – i cili vendosi përjashtimin e saj nga sistemi i drejtësisë për 15 vjet.

Trupa e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo vendosi po ashtu që ankimi i Fullanit të shqyrtohej në seancë gjyqësore publike. Seanca e parë pritet të mbahet në 4 nëntor 2020.

Njoftimi i shkurtër i KPA-së nuk bën me dije arsyet se pse Fullani ka kërkuar pezullimin e çështjes pas ankesës që i bëri vendimit të shkallës së parë të vetingut.

Në tetor 2017, Fullani dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit të tyre një vit më herët. Siç del nga vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, anëtarët e dorëhequr të Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u ofroi atyre pozicione në Gjykata të Apelit, por më pas njoftoi KPK-në se pesë gjyqtarët e dorëhequr i kishin refuzuar pozicionet. Fullani citohet nga KPK të jetë shprehur se “nuk dëshiron të emërohet si gjyqtare në nivel Apeli, as tani dhe as në të ardhmen”.

Komisioni mori vendim duke e cilësuar këtë si dorëheqje dhe duke i përjashtuar të pestë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Por ndërsa vendimet për Zenelajn dhe Çelikun morën formë të prerë, Fullani, Muskaj dhe Qirjako e apeluan vendimin e KPK. Ata pretendojnë se nuk kishin dhënë dorëheqjen dhe nuk duhej të përjashtoheshin nga sistemi për 15 vjet, siç parashikohet nga Kushtetuta. Nga ana tjetër, ata këmbëngulin se nuk duhet t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, pasi nuk ishin më gjyqtarë dhe kishin humbur statusin e magjistratit.

Nëse do të pranohet ky arsyetim, Fullani dhe dy gjyqtarët e tjerë do të kishin mundësinë të ktheheshin në sistem në të ardhmen si të jashtëm, pa iu nënshtruar rivlerësimit kalimtar.

Por në të tre rastet, KPK ka arsyetuar se refuzimi i tyre për të pranuar një vend në Gjykatat e Apelit “as tani dhe as në të ardhmen” duhej të lexohej si një dorëheqje.

Komisioni arsyeton se ndryshe nga pretendimet e Fullanit se “statusi i saj si gjyqtare ka mbaruar për shkak të ligjit” me mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë, ajo mbetej subjekt i ligjit 84/2016 për shkak se gëzonte të drejtën për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit.

Të njëjtin arsyetim ka mbajtur edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, që ka vendosur se mbarimi i statusit të magjistratit për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani bëhej “për shkak të heqjes dorë nga e drejta e caktimit në një pozicion në nivel Apeli”.

Fullani këmbënguli që procedura për të duhej të ndërpritej dhe KPK nuk duhej të dilte me vendim. Por Komisioni thotë se refuzimi prej saj për të zënë një vend në Apel ishte shfaqje vullneti për dorëheqje. Sipas KPK-së, Fullani dhe ngjashëm edhe ish-kolegët e saj, Qirko dhe Muskaj kanë “konsumuar në mënyrë indirekte aktin e dorëheqjes” dhe e ka cilësuar këtë vullnet të pavesuar.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu