KPK konfirmoi Arben Qosjan, prokuror i Apelit të Tiranës
Prokurori i Apelit të Tiranës, Arben Qosja u konfirmua të mërkurrën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në të tre kriteret e vetingut.
Qosja, i cili u hetua nga trupa e përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Suela Zhegu anëtare, u përball me pyetje mbi dy këste për një apartament të blerë në Tiranë në vitin 2005.
Qosja shpjegoi në KPK se diferenca negative ishin para të marra nga e ëma, të përfituara nga shitja e një apartamenti. Ai dha shpjegime edhe mbi mospagesën në kohë reale të detyrimeve tatimore për shitjen, ndërsa tha se transaksionet ishin bërë nga nëna e tij dhe në kohë nuk kishte qenë e mundur të paguheshin tatimet që ishin shlyer më vonë.
KPK duket që është bindur nga shpjegimet që Qosja dha në seancë. Ai nuk pati probleme në dy kriteret e tjera.
Arben Qosja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si oficer i Policisë Gjyqësore. Në vitin 2004, Qosja u emërua prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Apelit të Tiranës.