img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/20

Rihetimi në Kolegj nxorri pa probleme prokuroren e SPAK, Manjola Kajana

Manjola Kajana, prokurore e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, arriti të kalonte të dyja shkallët e procesit të vetingut, ndërsa në vendimin e zbardhur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tregohet se ajo nuk e pati të vështirë të rrëzonte pretendimet e ngritura nga Komisioneri Publik.

Kajana u konfirmua në qershor 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por pas zbardhjes së vendimit, Komisioneri e apeloi çështjen, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe paligjshmëri në lidhje me aplikimin për një kredi të butë në bashkinë e Fierit, në kohën kur ajo shërbente si prokurore atje.

Po ashtu, Komisioneri ngriti dyshime mbi disa prej deklarimeve të prokurores në kriterin e pasurisë dhe kërkoi një vlerësim në të tri kriteret, për të parë nëse kishte apo jo shkelje të etikës.

Trupi gjykues i Kolegjit që shqyrtoi ankimin e Komisionerit ndaj vendimit të KPK për Kajanën, përbëhej nga Natasha Mulaj kryesuese, Luan Daci relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz e Ardian Hajdari anëtarë. Procesi në KPA u zhvillua në 5 seanca dhe zgjati nga marsi deri në korrik 2020, por hetimet e reja dhe dokumentet shtesë duket se përforcuan pozicionin e parë të Kajanës.

KPA arsyetoi se familja e saj, bashkëshorti dhe vjehrri, kishin pasur të drejtë që të aplikonin për statusin si të pastrehë, pasi kishin në pronësi vetëm 17 metra katrorë sipërfaqe të banueshme, në një shtëpi 40 metra.

Nga ana tjetër, as Kajana dhe as bashkëshorti, edhe pse kishin aplikuar për një kredi të tillë në Fier, nuk e kishin përfituar asnjëherë atë dhe prokurorja kishte blerë një apartament në Tiranë me norma tregtare interesi.

Nga hetimi rezultoi se Kajana nuk kishte pasur konflikt interesi dhe se nuk ishte përfshirë në hetimin e çështjes për kreditë e buta të Bashkisë Fier gjatë kohës që kishte punuar në atë qytet. Kajana u vlerësua shumë mirë në kriterin e profesionalizmit, ndërsa në vendim theksohet se ajo kishte certifikatë sigurie nga DSIK, duke lënë të kuptohet se nuk kishte probleme të figurës.

Disa prej çështjeve të ngritura mbi ligjshmërinë e të ardhurave u sqaruan në Kolegj, ndërsa u vërtetua se tatimet për pagat e bashkëshortit ishin paguar nga punëdhënësit. Vendimi që është nga më të shkrurtrin prej Kolegjit, vetëm 15 faqe, del në përfundimin se Kajana kishte nivel të besueshëm në të tre kriteret.

“Vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit të prokurores në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Nga vlerësimi në tërësi lidhur me rrethanat e çështjes, nuk rezultuan indicie për pamjaftueshmëri burimesh në drejtim të justifikimit të pasurive, duke arritur kështu nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, thuhet në vendim.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu