KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Florjan Kalaja
Magjistrati e mbajti frymën gjatë dhe vetëm pasi kryesuesja e seancës, Xhensila Pina përfundoi leximin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lëshoi një psherëtimë lehtësimi. Dhe ndërsa mushkëritë iu mbushën me frymë, përsëriti dy herë ‘faleminderit, faleminderit,’ përpara se të dilte me kokën lart nga salla për tu mbështjellë nga përqafimet e familjarëve dhe përgëzimet e miqve. Florjan Kalaja, gjyqtar i rrethit gjyqësor Vlorë i deleguar në Gjykatën e Apelit Durrës, u konfirmua në detyrë të hënën në mëngjes, në sallën e nëndheshme dhe gjysmë të zbrazur ku mbahen seancat dëgjimore të KPK-së në Pallatin e Kongreseve. Kalaja ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Paralelisht me punën si gjyqtar, Kalaja është angazhuar si pedagog në disa universitete si dhe është autor i botimeve në fushën e së drejtës civile.