img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/24

Komisioneri Publik apelon vendimin e konfirmimit të gjyqtares Miranda Andoni

Komisioneri Publik Dariel Sina apeloi vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së apelit të Gjirokastrës Miranda Andoni duke kërkuar rihaphjen e hetimit administrativ të saj dhe rivlerësim të çështjes duke e gjykuar punën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit “me mangësi” ndërsa vlerëson se subjekti nuk është në gjendje të justifikojë me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e saj për së paku katër vite dhe një shumë monetare prej disa mijëra eurosh. Sina nuk ka kërkuar shkarkim të Andonit por i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të ndryshojë vendimin e konfirmimit ose ta lërë atë në fuqi në varësi të rezultatit të rihetimit gjyqësor. “Komisioneri Publik, duke çmuar se ky vendim objekt ankimi, shfaq edhe mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit,” thuhet në njoftimin e ankimit. “…për kriterin e pasurisë, rezulton se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, duke mos mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet e deklaruara për vitet 2008 – 2016,” vijon më tej vendimi për ankim. Miranda Andoni e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Përmetit. Në vitin 2005 u emërua si gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që në dhjetor 2019, Andoni u zgjodh me short anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ajo ka blerë një apartament 123 metra katrorë në Tiranë në vitin 2008 me vlerë 105 600 euro dhe një garazh në shumën 13 mijë euro, blerje për të cilën komisioneri thotë se i dalin diferenca të pajustifikuara me të ardhura. Komisioneri thotë se të ardhurat e gjyqtares nga qiradhënia, të cilat janë përdorur për këtë blerje, duhet të konsiderohen si të paligjshme për shkak se tatimi për këtë qiradhënie nuk është paguar në kohën kur është realizuar e ardhura por është paguar vetëm gjatë procesit të rivlerësimit, kur ligji për rivlerësimin përcaktoi detyrimin e pagesës së tatimit si kriter për gjykimin e një të ardhure si të ligjshme.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu