Prezantohen gjetjet dhe rekomandimet kryesore mbi respektimin e të drejtave të njeriut gjatë kryesimit të OSBE nga Shqipëria
U prezantuan sot gjetjet dhe rekomandimet kryesore të një rrjeti të organizatave të shoqërisë civile lidhur me performancën e institucioneve shtetërore shqiptare në respektimin e të drejtave të Njeriut gjatë kryesimit 1-vjeçar të OSBE-së. Vetëvlerësimi erdhi në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Civil Rights Defenders, Instituti për Studime Politike, Birn Shqipëri, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Shërbimi Ligjor Falas, nën kujdesin e rrjetit Civic Solidarity Platform. Gjetjet dhe rekomandimet u prezantuan në një tryezë përmbyllëse e cila u zhvillua on line me një pjesëmarrje të lartë të aktorëve të institucioneve shtetërore shqiptare dhe atyre të pavarura, organizmave ndërkombëtar, OSBE, ODIHR, organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të medias etj. Në takim, ekspertët e fushës bënë publik raportet (të cilët iu nënshtruan një seri konsultimesh publike gjatë nëntorit), në 6 fushat kyçe të monitoruara: Ecuria e Reformës në drejtësi, Lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Liria e medias, Të drejtat e njeriut në kushtet e Covid-19 dhe Barazia Gjinore. Monitorimi, që shtrihet mes periudhës mars-tetor 2020 tregon se sa i përket Lirive dhe të drejtave të Njeriut në kushtet e kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë globale, ka evidentuar probleme me të drejtën e aksesit në sistemin e drejtësisë, për shkak të kufizimeve nga Covid 19. Kufizime ka patur në kapacitetet shëndetësore dhe buxhetin për shërbimin shëndetësor. Në disa raste, aksesi në testimet ndaj Covid 19 ka qenë selektiv dhe jo efektiv në kohë. Sa i përket të drejtës së tubimit, kufizimi vazhdoi pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyre. Nga monitorimi rezulton se është e nevojshme zbatimi i rekomandimeve yë Avokatit të Popullit për lejimin e tubimeve me zbatimin e protokollit shëndetësor të përcaktuar. Liria e medias gjatë kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, ka qenë nën presion nga sulmet e vazhdueshme – fizike dhe verbale, ndaj gazetarëve dhe medias online, përpjekjet e qeverisë për të zgjeruar kompetencat e entiteteve shtetërore për kontrollin e përmbajtjes së medias online. Në fushën e Barazisë Gjinore, vlerësohet se ka përmirësim të kuadrit ligjor kundër dhunës në familje, por është i nevojshëm fuqizimi i buxhetimit në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje dhe fuqizimi i makinerisë së barazisë gjinore. Sa i përket zgjedhjeve, monitorimi evidenton se pavarësisht se Shqipëria kryesoi OSBE, nuk shfrytëzoi mundësinë të realizonte një reformë zgjedhore të plotë, të hapur, gjithëpërfshirëse dhe në pajtim të plotë me të gjitha rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR. Mungesa e konsultimit publik me të gjithë aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile evidentohet dhe në opinionin e përbashkët të Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, të publikuar ditën e sotshme, lidhur me ndryshimet kushtetuese të dt.30 Qershor dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dt.5 Tetor. Ndër të tjerash, në këtë opinion rekomandohen ndryshime ligjore por pasi të jenë zhvilluar zgjedhjet parlamentare të dt.25 Prill. Ndërkohë që raporti i ekspertëve vendas i sugjeron KQZ-së të veprojë në mënyrë sa më transparente, partive politike të zbatojnë ligjin e dekriminalizimit dhe të evitohet përdorimi i burimeve shtetërore për zgjedhjet. Lufta ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, sidomos në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë publikë, vijon të mbetet një sfidë për Shqipërinë. Në vend ka mungesë konkurrence në fushën e prokurimeve publike, çka evidentohet në një seri raportesh të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe organizatës jofitimprurëse AIS. Pavarësisht ligjit për mbrotjen e sinjalizuesit, i cili i mundëson qytetarëve të denoncojne abuzimet me pushtetin apo korrupsionin në vendin e punës, raportimet janë të ulëta. Rekomandohet forcim i luftës kundër korrupsionit, veçanërisht në nivel e larta të qeverisjes dhe rritja e konkurencës në prokurimet publike. Për shkak të klimës politike të tensionuar dhe të polarizuar, zbatimi i reformës në drejtësi mbetet sfidë për Shqipërinë. Themelet e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, nuk janë ende të plota. Vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është plotësuar ende me hetues ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk mund të ushtrojë plotësisht funksionet, pasi ka 3 nga 17 anëtarë. Rekomandohet përshpejtimi i ritmit të procesit të rivlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët dhe i plotësimi i vakancave në gjykata. Tryeza përmbyllëse, krahas prezantimit te raporteve, ishte një mundësi edhe për diskutime, sugjerime dhe reflektime nga vetë institucionet e monitoruara. Ndërhyrje në takim pati nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, organizatave ndërkombëtare, etj. Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj evidendoi se mekanizmi i vetëvlerësimit, në kuadër të të cilit prezantohen këto gjahtë raporte synon të përmirësojë veprimtarinë e institucioneve shqiptare duke adresuar problematikat e identifikuara. Nën sugjerimin e përfaqësuesve të Civic Solidarity Platform, vitin e ardhshëm do të zhvillohet një konferencë për vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna pas këtij monitorimi. Një përmbledhje ekzekutive të raporteve, e gjeni bashkëlidhur në këtë e-mail. Ndërkohë që brenda disa ditësh, do të bëhen publik të 6 raportet, që do t’u vihen në dispozicion të gjithë aktorëvë të interesuar dhe medias, si në shqip edhe në anglisht.