Kolegji hap hetimin gjyqësor për prokurorin Dritan Peka
Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli të mërkurën hetimin gjyqësorë në çështjen ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Apelit të Tiranës Dritan Peka. Peka do të rivlerësohet në KPA, pasi Komisioneri Publik Dariel Sina ankimoi në të tre kriteret vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e konfirmonte atë në detyrë.
Në seancë Komisioneri Publik parashtroi se kundërshtonte arsyetimin e KPK për disa nga problemet që ishin gjetur gjatë hetimit administrativ dhe se KPA duhej të vendoste “shkarkimin e subjektit të rivlerësimit” për deklarim të pamjaftueshëm dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia. Komisioneri po ashtu paraqiti disa denoncime të reja dhe kërkoi hetimin e tyre dhe një analizë të re financiare nga Kolegji, ndërsa pretendoi se Peka rezultonte me bilanc negativ në disa vite.
Peka që u paraqit me avokat në seancën publike arsyetoi se vendimi i KPK ishte i drejtë, ndërsa solli tre prova që sipas tij kundërshtonin ankimin, përfshi një analizë financiare që sipas tij provonte se nuk kishte bilanc negativ. Ai kërkoi kohë për t’iu përgjigjur denoncimeve të reja, të cilat Komisioneri i paraqiti në seancë.
Çështja po hetohet nga trupa gjykuese e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtar Ardian Hajdari, Luan Daci, Sokol Çomo.
Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 1997 si prokuror në Tiranë dhe mban postin e drejtuesit të Prokurorisë së Apelit të Tiranës prej vitit 2015. Procesi i vetingut për të u krye nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, të cilët vendosën unanimisht konfirmimin e tij në detyrë.