img
    Nga: Albanian Institute of Science (AIS) datë: 29.03.2024

Raport Vjetor i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ILD për vitin 2023.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka patur një vit intensiv pune, si në drejtim të funksionit kryesor, trajtimit të ankesave ndaj magjistratëve dhe inspektimeve tematike, por edhe të finalizimit të stokut të ankesave e praktikave të mbartura nga institucione të mëparshme të procedimit disiplinor.
Trajtimi i ankesave të trashëguara, ka qenë një proces që ka tejkaluar ngarkesën normale të punës për burimet njerëzore në dispozicion, por në sajë të masave rregullatore, administrative dhe strukturore të ndërmarra, rezultatet janë të dukshme dhe të matshme. Evadimi i stokut të ankesave e kreu synimin e shpallur nga Zyra e ILD-së, se asgjë nuk harrohet dhe se shmangia e kulturës së pandëshkueshmërisë është një sinjal i qartë për të rritur besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.
4 inspektime tematike të përfunduara deri në dhjetor 2023 dhe puna në proces e inspektimeve tematike të planifikuara pranë gjykatave dhe zyrave të prokurorisë është një tjetër bilanc për t’u shënuar. Synimi primar i këtyre inspektimeve tematike ka qenë konstatimi i problematikave në sistem dhe rekomandimi i zgjidhjeve, të cilat pritet t’i shërbejnë përmirësimit të punës së prokurorive dhe gjykatave, pa harruar edhe evidentimin, hetimin apo procedimin e shkeljeve disiplinore që shfaqen. Me kënaqësi konstatohet efekti pozitiv që kanë dhënë rezultatet e këtyre rekomandimeve, pasi nga monitorimi i zbatimit të tyre, organet e inspektuara kanë reaguar pozitivisht në adresimin e rekomandimeve duke marrë masa të karakterit administrativ dhe rregullator në funksion të përmirësimit të efiçencës së veprimtarisë të organit të inspektuar.
Për të rritur maksimalisht efiçencën e punës është bërë përcaktimi i kuadrit rregullator për shqyrtimin e ankesave dhe ndjekja e metodologjisë për shqyrtimin e tyre, sipas një radhe të diktuar nga kritere të qarta. Rikonceptimi strukturor dhe organizativ, për tre njësi të Zyrës së ILD-së, atë të ndihmës inspektorëve, duke rritur numrin e tyre për administrimit me efiçencë të shërbimeve në mbështetje të veprimtarisë hetimore; të njësisë për ankesat dhe marrëdhënies me publikun, për të asistuar secilin prej ankuesve për mënyrën e paraqitjes së ankesës në ILD, e të kompetencave të institucionit në shqyrtimin e pretendimeve të tyre; në ngritjen e një njësie të re në funksion të realizimit me cilësi të proceseve të vazhdueshme në fushat e punës analizuese e kërkimore për standardizimin e procesit të punës dhe standardeve specifike me qëllim përcaktimin, përditësimin dhe analizimin e indikatorëve që matin performancën e institucionit në mënyrë periodike.
Fuqizimi i kapaciteteve të inspektimit përmes trajnimeve të inspektorëve tanë, falë bashkëpunimeve me homologët e vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe angazhimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në iniciativa bashkëpunimi me BE-në, janë aspekte pune që na kanë shoqëruar gjatë vitit 2023, e po kthehen në praktikë të qëndrueshme pune. Tradita e bashkëbisedimeve me nxënës, studentë, grupe të ndryshme shoqërore, edhe atje ku ata jetojnë e punojnë ka vijuar gjatë vitit 2023, në funksion të ndërgjegjësimit publik për rolin e funksionet e ILD-së, por edhe të edukimit ligjor.
Detaje dhe statistika të punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë paraqiten të detajuara në këtë raport, por çfarë konkludojmë si institucion është se pas 4 vitesh funksionim të ILD-së, përmes mekanizmave të inspektimeve tematike dhe shqyrtimit të ankesave të qytetarëve, sistemi i kontrollit të punës së magjistratëve po funksionon, së pari duke përcaktuar standarde të një sistemi funksional llogaridhënës, në përputhje me balancën që duhet të ekzistojë edhe me parimin e ndarjes së pushteteve, duke përcaktuar standarde për një sistem drejtësie të përgjegjshëm, të paanshëm dhe me integritet, dhe së dyti duke qenë kontribuues me mendime, sugjerime, rekomandime nëpërmjet inspektimeve tematike, për rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu