Shkarkohet gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Selim Kryeziu
Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Selim Kryeziu u shkarkua nga detyra mëngjesin e së mërkurës, pas problemeve të evidentuara me pasurinë dhe figurën. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari dhe anëtare Etleda Çifta dhe Xhensila Pine.
Selim Kryeziu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si gjyqtar dhe më pas kryetar i Gjykatës së Librazhdit. Në vitin 2006, ai është emëruar inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 u promovua si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.
Gjatë seancës dëgjimore, Kryeziu u përball me probleme të pasurisë, përfshi mosjustifikimin e të ardhurave të disa personave të lidhur në shumë 20 mijë euro, të cilat i kishte marrë hua. Ndërsa analiza fianciare për disa vite e nxirrte gjyqtarin me bilanc negativ prej rreth 5.6 milionë lekësh.
Relatorja ndërkohë lexoi një raport negativ nga DSIK. Raporti e akuzonte gjyqtarin për tre raste mitmarrje dhe për përfshirje aktive në korrupsion, ndërsa vlerësonte se ai nuk ishte i përshtatshëm për të vijuar detyrën.
Kryeziu që bëri një rezyme të gjatë të punës së tij dhe shkollimit tha se ishte i pastër dhe kishte qenë i paanshëm e i drejtë në punë. Ai pretendoi se të gjithë të afërmit prej të cilëve kishte marrë hua i kishin justifikuar pasuritë.