‘Konflikti i interesit’, gjyqtari Niko Rapi shkarkohet në veting
Rastet e dyshuara të konfliktit të interesit në kohën kur drejtonte Gjykatën e Pogradecit i kushtuan karrierën gjyqtarit Niko Rapi, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të martën shkarkimin e tij.
Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Lulzim Hamitaj dhe anëtare Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.
Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.
Komisioni ngriti dyshime për trajtim të mundshëm preferencial dhe situatë të kushteve të konfliktit të interesit mbi një marrëdhënie miqësore mes gjyqtarit Niko Rapi dhe shoqërisë “Bregu sh.p.k”, gjatë kohës që ai ka qenë kryetar i gjykatës së Pogradecit. Dyshimet janë ngritur në një hua me vlerë 4 milionë lekë që Rapi ka marrë nga kjo shoqëri si edhe të përdorimit të një mjeti luksoz, po në pronësi të kompanisë “Bregu sh.p.k”.