KPK e dërgoi prokurorin Gjon Fusha për inspektim ‘pa shkak’
Me vendimin e datës 12 qershor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Apelit të Gjirokastrës, Gjon Fusha dhe vendosi të transferojë për inspektim pranë Inspektoritatit të Lartë të Drejtësisë, ILD dy çështje të përfaqësuara nga subjekti –ndonëse KPK thotë se nuk janë gjetur probleme. Trupi gjykues i KPK, i përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Pamela Qirko anëtare, arrijnë në përfundimin se prokurori Gjon Fusha ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe të kontrollit të figurës dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale. Dy çështjet e dërguara për inspektim janë trajtuar në një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK. Ndryshe nga raporti i parë, ku DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë, në vijim i ka referuar Komisionit të dhëna të tjera, duke e konsideruar subjektin të papërshtatshëm. Në vendimin e zbardhur thuhet se Komisioni ka kryer hetim të thelluar dhe i ka kërkuar informacion Prokurorisë së Përgjithshme, nëse ka pasur ndonjë procedim penal ndaj Fushës. Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se ndaj subjektit nuk ka pasur ndonjë procedim penal. Në vijim të përgjigjes është shpjeguar se në vitin 2015 është kryer një kallëzim penal nga Policia e Shtetit ndaj Fushës dhe se Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur procedim penal për “korrupsion pasiv”, por pa autor konkret. Ky procedim është pushuar më pas nga Krimet e Rënda. Komisioni ka konstatuar se për faktin se subjekti Gjon Fusha nuk është marrë si person nën hetim dhe as si i pandehur, nuk ka pasur detyrimin të deklarojë këtë fakt as në formularin për pastërtinë e figurës dhe se e ka plotësuar këtë formular në përputhje me dispozitat urdhëruese të ligjit. Komisioni shprehet se ka kryer hetim të thellë për informacionet e DSIK, sipas së cilave prokurori Fusha mund të ishte i përfshirë në veprimtari korruptive në një çështje penale gjatë viteve 2011 dhe 2016, si dhe të përfshirjes në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës dhe ndërveprimit korruptiv në vitin 2019.
Lexo më shumë