img
    Nga: RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR datë: 2020/08/03

KPK, shkarkon një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Vlorë

Një tjetër gjyqtar është shkarkuar nga detyra. Ai është Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Vlorë Hysen Saliko. Vendimi u dha të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Karrierën e tij Saliko e ka nisur në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Deri në vitin 2006, ai ka ushtruar detyrën si kryetar i Gjykatës Kolonjë dhe në vitin 2006 është transferuar si inspektor në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2010, Hysen Saliko është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë.
Gjatë seancës relatorja deklaroi se të ardhurat e pretenduara nga bujqësia nuk janë shoqëruar me dokumentacion dhe se për rrjedhojë, Saliko rezulton në pamundësi për të blerë një apartament në vitin 2010 në Tiranë. Sipas tij burim të ardhurash kanë qenë kursimet familjare nga paga dhe nga bletaria. Gjatë seancës rezulton se për të njëjtin apartament Saliko ka deklaruar pagesa të kryera cash në llogarinë e kompanisë së ndërtimit dhe njëkohësisht, 30 mijë euro të paguara në një bankë të nivelit të dytë, të cilat nuk janë deklaruar nga subjekti.
Më tej gjyqtari Saliko dhe avokati i tij deklaruan në seancë se subjekti nuk e ka bërë pagesën 30 mijë euro, duke sugjeruar se dikush tjetër ka bërë pagesën në emër të tij dhe i ka falsifikuar firmën. Saliko paraqiti me këtë rast edhe një dokument të cilin e konsideroi ekspertizë që vërtetonte se firma e tij në dokumentin e derdhjes së shumës ishte e falsifikuar.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu