Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen: Vettingu po i shërben politikës!
Një nga emrat më të lakuar të drejtësisë shqiptare, gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen. Sipas mediave të ndryshme zoti Gjoni i ka drejtuar një letër KLGJ-së, në të cilën zbardhen dhe arsyet e dorëheqjes. Përmbajtja e letrës botohet prej tyre në mënyrë fragmentare. Sipas saj gjykatësi Gjoni vlerëson se procesi i vettingut është i pabarabartë dhe atë e kalojnë të gjithë ata që i shërbejnë politikës. “Drejtësia është në kolaps. Vettingu nuk zhvillohet njësoj për të gjithë. Vetingun e kalojnë vetëm ata që i shërbejnë politikës” citojnë disa media nga letra e zotit Gjoni.
Në këtë letër ish gjyqtari Gjin Gjoni shkruan gjithashtu se “E vetmja mënyrë që ka mbetur për t’i shërbyer publikut është të dorëhiqem dhe të përballem në mbrojtje të interesit publik duke qenë në ballë të luftës për drejtësi, duke mos lënë padrejtësinë të marrë përpara këdo vetëm nga frika e “pushkatimit pa gjyq”.
Momenti i dorëheqjes vjen ndërsa gjyqtari Gjin Gjoni ishte nën hetim administrativ nga KPK-ja.