img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/16

Gjyqtarja Anita Mici përballet me pyetje për lirimin e Lulzim Berishës

Gjyqtarja Anita Mici e Gjykatës së Apelit të Shkodrës u përball të enjten me pikëpyetje për vendimin e lirimit të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha si dhe një raport papërshtatshmërie të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar –ku ngrihen dyshime për favorizimin e një kushëriri të saj të dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin e gjyqtares Anita Mici përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin. Procesi i vetingut për gjyqtaren Mici ka përfunduar për të tre kriteret, por seancën dëgjimore e dominuan gjetjet për pastërtinë e figurës. Në seancë u identifikuan dy raste për të cilat Komisioni i ka kërkuar shjegime gjyqares Anita Mici lidhur me rrethanat lehtësuese ndaj të pandehurve. “Ajo ka pohuar se është bazuar në prova dhe në bindje të brendshme,” tha Bekteshi, duke iu referuar mbrojtjes së subjektit. Komisioni i ka kërkuar shpjegime Micit për vendimin e lirimit me kusht të Lulzim Berishës dhe rekursin e kryer nga prokuroria mbi këtë vendim të Gjykatës së Apelit të Durrësit –ku ajo ishte pjesë e trupës gjykuese. Në shpjegimet për Komisionin, Mici e ka cilësuar vendimin e diskutueshëm si të bazuar në ligj, ndërsa ka pohuar se kërkesa e prokurorit për refuzimin e lirimit të Berishës nuk ishte marrë parasysh. Bileta e parakohshme e lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit Durrës, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako. I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh. Sipas relatores Bekteshi, Mici ka shpjeguar se analiza e kryer për riedukimin e tij bazohej në raportet e institucioneve përkatëse, sipas të cilave sjellja e Berishës ishte “shumë e mirë”. Gjyqtarja Anita Mici argumentoi edhe gjatë seancës dëgjimore se është e drejta e të dënuarit për t’u rehabilituar.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu