img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/16

Theo Jacobs sulmon SPAK për cilësinë e hetimeve dhe pezullimin e Luan Dacit

Në një debat me gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Shkodër, Selim Kryeziu gjatë seancës dëgjimore të këtij të fundit të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimi, përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs akuzoi Strukturën e Posaçme Kundwr Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për pushimin e shpejtë të çështjes ndaj Kryeziut dhe dy kolegëve të tij gjyqtarë, ndërsa la të kuptohej se hetimet nuk kishin qenë të plota.
Jacobs, i njohur për komentet e drejtpërdrejta dhe replikat të ashpra me subjektet, e bëri të qartë që “nuk i kishte pëlqyer” vendimi i SPAK ndërsa tha se çështja ishte e hetuar në vetëm 6 muaj, sipas tij kohë e shkurtër për këto raste dhe shtoi se ishte mbyllur nga “prokurorë që nuk duhej të ishin në SPAK”.
Jacobs po ashtu e akuzoi në tërësi SPAK dhe Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë edhe për vendimmarrjen në çështjen ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci duke thënë se prokurorë dhe gjykatës “që nuk duhej të ishin aty”, ngritën akuza për vepra penale që nuk ishin vepra penale.
Daci u pezullua nga detyra prej Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit me kërkesë të SPAK për akuzën e falsifikimit. Apeli i Gjykatës së Posaçme e rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë, ndërsa tha se në çështje nuk kishte vepër penale.
I pyetur nga BIRN për këto komente drejtuesi i SPAK, Arben Kraja i kritikoi qëndrimet e Jacobs dhe mbrojti institucionin që drejton.
“Prokurorët e SPAK janë të gjithë prokurorë që kanë kaluar vetingun me formë të prerë, përfshi kontrollin nga KLP dhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM,” tha Kraja.
“ONM nëse ka pasur më të voglin dyshim për ta duhej ta kishte thënë atëherë. Nëse nuk e ka thënë ka bërë shumë gabim. Por unë nuk e besoj këtë, unë besoj që të gjithë prokurorët e SPAK janë të pastër”, shtoi ai.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu