KPA vulos shkarkimin e ish-kryetarit të Gjykatës së Beratit, Agron Valva
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 15 korik të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Agron Valva.
Në njoftimin e KPA thuhet se, trupi gjykues i Kolegjit i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore dhe Albana Shtylla, Luan Daci dhe Sokol Çomo anëtarë, pasi shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e Valvas kundër vendimit të KPK, e rrëzuan atë në unanimitet.
KPK shkarkoi nga detyra gjyqtarin Agron Valva më 21 dhjetor 2018, pasi u konstatua mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, deklarime të rreme dhe fshehje.
Në vendimin e zbardhur të Komisionit identifikohen disa probleme lidhur me blerjen e një apartamenti në vitin 2008 në Qesarakë të Tiranës në shumën 44 mijë e 600 euro. KPK konkludoi se Valva nuk provoi mundësinë e huadhënësit për krijimin e vlerës 30 mijë euro që ishte një prej burimeve të deklaruara. Po ashtu rezultoi se huadhënësi nuk ka qenë në Shqipëri në kohën kur është nënshkruar kontrata.