img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/14

Prokurori Spartak Çoçoli drejt shkarkimit për “përfshirje në korrupsion

Prokurori i Gjirokastrës, Spartak Çoçoli nuk u paraqit as të martën në seancën dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ndryshe nga hera e parë, kur kërkoi shtyrje për arsye shëndetësore, këtë herë Çoçoli e ka njoftuar Komisionin se e kishte të pamundur të ishte i pranishëm, ndërsa nuk ka dorëzuar asnjë dokument justifikues.
Kryesuesi i trupit gjykues, Lulzim Hamitaj tha se në kushtet kur Çoçoli nuk kishte justifikuar mospraninë e tij, seanca dëgjimore do të zhvillohej, duke parashtruar gjetjet e Komisionit.
Spartak Çoçoli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1991 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada në Prokurorinë e Gjirokastrës. Në janar 2019, Çoçoli u pezullua nga detyra pas përfshirjes së tij në një hetim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku dyshohej për veprën penale të korrupsionit. Aktualisht, çështja e tij është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokurorin Çoçoli ishte përfunduar vetëm në dy kritere, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Ajo vuri në dukje se subjekti i rivlerësimit është aktualisht i pezulluar në detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.
Sanxhaktari bëri me dije se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK kishte sjellë fillimisht raport pozitiv për pastërtinë e figurës së Çoçolit. Por DSIK e ka ndryshuar raportin e 2017-ës, duke referuar informacione të tjera dhe në një raport të tretë e shpalli atë të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.
“Grupi i punës konkludon se afera korruptive ku është përfshirë subjekti e cënon figurën e magjistratit,” tha Sanxhaktari, duke ju referuar raportit përfundimtar të DSIK-së.
Ajo vijoi se Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK kishte informuar se në vitin 2019 ndaj Çoçolit është regjistruar procedim penal dhe se gjykata më pas ka caktuar masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’. Sipas Sanxhaktarit, prokuroria e ka marrë më pas të pandehur subjektin dhe kërkesa për gjykim është pranuar prej gjykatës. Pas këtij vendimi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur ta pezullojë nga detyra.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu