img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/14

Taksat mbi të ardhurat e bashkëshortit vënë në vështirësi prokuroren Enkeleda Osmani

Prokurorja e Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo) u përball të martën ne Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me detyrimin për të provuar se të ardhurat e bashkëshortit nga disa kompani private të deklaruara ndër vite ishin të ligjshme.
Trupa me kryesues Roland Ilia, anëtare Suela Zhegu dhe relatore Brunilda Bekteshi vuri në dukje se prokurorja Osmani ishte hetuar fillimisht vetëm në kriterin e pasurisë, por se më pas ishte vendosur rihapje e hetimit edhe në dy kriteret e tjera.
Prokurorja u pyet edhe për mosdeklarimin në deklaratën veting të një transaksioni me një makinë dhe disa pagesa të bashkëshortit. Ndaj saj ishin depozituar 11 denoncime, por vetëm për disa prej tyre ishin kërkuar shpjegime.
Prokurorja Osmani në fjalën e saj pretendoi se të gjitha të ardhurat e saj ishin të ligjshme, ndërsa fajësoi kompanitë për të cilat bashkëshorti kishte punuar për mospagimin e detyrimeve. “Nuk arrijmë të besojmë që kompani që kanë kontrata publike me Ministrinë e Transporteve mund të deklaronin dhe paguanin vetëm pagën minimale,” tha ajo, duke shtuar se nuk kishin pasur dijeni për problemin para fillimit të procesit.
Ajo vuri në dukje se kishte tre padi ndaj këtyre kompanive, ndërsa po ashtu theksoi se në një rast, ish-punëdhënësi e kishte pranuar përgjegjësinë dhe kishte paguar detyrimet.
Enkeleda Osmani (Xhengo) ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon si prokurore në Prokurorinë e Durrësit prej gati 15 vitesh. Në vitin 2019, Osmani kandidoi për një vend në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pa mundur që të përzgjidhet.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu