img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/07/13

Gjyqtari Sandër Simoni bindi KPK se nuk kishte dijeni për dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali

Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Sandër Siomoni është vlerësuar pozitivisht në të tri kriteret e rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK.
Simoni e ka bindur Komisionin lidhur me padijeninë e tij gjatë plotësimit të formularit të pastërtisë së figurës për procedimin penal në Itali ndaj kushëririt Valdrin Pjetri, fakt që u bë publik në vitin 2019 – si dhe për mospërfshirjen e tij në disa çështje penale të referuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK.
Sandër Simoni ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në dhjetor 2003, Simoni u emërua gjyqtar i Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe në vitin 2004 u promovua si kryetar i kësaj gjykate.
Paralelisht me punën si gjyqtar, Simoni është angazhuar në mësimdhënie si në Shkollën e Magjistraturës ashtu edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Në fund të vitit 2019, Simoni u caktua përkohësisht kryetar i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deri në një vendim përfundimtar të institucioneve të vetingut.
Në vendim thuhet se në deklaratën për kontrollin e figurës të plotësuar në vitin 2017, Simoni ka shënuar se nuk ka pasur dijeni nëse anëtarë të familjes kanë kontakte të papërshtatshme apo janë të përfshirë në krimin e organizuar.
Komisioni vëren se, në vitin 2019, është vënë në dijeni nga mediet që Valdrin Pjetri, kushëriri i parë i gjyqtarit Simoni, ka qenë i dënuar në Itali në vitin 2003 për trafik lëndësh narkotike. Për mosdeklarimin e këtij fakti, Valdrin Pjetrit ju mohua mandati i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës i fituar gjatë zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, që u zhvilluan pa pjesëmarrjen e opozitës.
Në shpjegimet e tij, Simoni ka deklaruar se nuk kishte pasur dijeni për dënimin e Pjetrit dhe se e kishte mësuar nga media si gjithë të tjerët.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu