Kolegji rrëzon ankimin e gjyqtarit Hysni Demiraj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të hënën lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj.
Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore dhe Albana Shtylla, Luan Daci e Sokol Çomo anëtarë, shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e kryer nga Demiraj dhe e rrëzoi atë unanimisht.
Ish-kreu i Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj u gjet nga KPK në dy raste të konfliktit të interesit. Demiraj u penalizua për mos heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështje me palë përfaqësues të kompanisë ku ai kishte blerë shtëpi dhe të një çështje tjetër ndaj njërit prej gardistëve të akuzuar për vrasjet e 21 janarit, me të cilin rezultoi të kishte pasur njohje.