Manjola Kajana konfirmohet nga Kolegji dhe shkon drejt SPAK
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores Manjola Kajana, duke i hapur rrugën dekretimit të saj në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
Vendimi u shpall publikisht në kohë reale në faqen e KPA, nëpërmjet platformës livestream për shkak të masave kufizuese ndaj përhapjes së COVID-19.
Manjola Kajana e kaloi vetingun në shkallë të parë më 18 qershor 2019, por Komisioneri Publik e ankimoi atë me argumentin se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk kishte kryer një hetim të plotë.
Procesi në Kolegj u fokusua tek dyshimet për konflikt interesi përmes aplikimit të bashkëshortit të subjektit si i pastrehë në Fier si dhe marrjen e një kredie në Bankën Kombëtare Tregtare.
Gjithsesi, pas administrimit të dokumentacionit të plotë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa pranoi se Kajana nuk kishte qenë në konflikt interesi dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.